Pyetje të Bëra Shpesh
Të përgjithshme
Ç’është Delta Chat-i?
Delta Chat është një aplikacion i ri fjalosjeje që përdor email-et për shpërnguljen e mesazheve. Nëse merrni një mesazh fjalosjeje, thjesht përdorni aplikacionin tuaj email për ta lexuar mesazhin dhe për t’iu përgjigjur. Nuk ju duhet të regjistroheni diku, të shkoni te një sajt apo të instaloni Delta Chat-in.
Si mund të gjej njerëz për të biseduar?
Me Delta Chat-in, mund t’i shkruani cilësdo adresë email ekzistuese - madje edhe nëse marrësi nuk përdor aplikacionin Delta Chat. Kjo është një nga dallimet më të mëdha me programe të tjera të ngjashme: S’ka nevojë që marrësi të instalojë të njëjtin aplikacion si ju.
Cilat janë përparësitë e Delta Chat-it krahasuar me programe të tjerë të llojit?
- I pavarur nga kompani apo shërbime. Të dhënat tuaja janë pronë e juaja.
- Të dhënat tuaja nuk ruhen në ndonjë shërbyes qendror; në këtë mënyrë, ndryshe nga shumica e programeve të tjera për shkëmbim mesazhesh, Delta Chat-i madje i mbron tejtëdhënat tuaja (kush i shkruan dhe kujt i shkruan?)
- Librin tuaj të adresave nuk ia jepni kujt.
- I shpejtë, përmes përdorimit të Push-IMAP
- Baza më e madhe e përdoruesve - mund të mbërrihet edhe te marrës që nuk përdorin Delta Chat-in
- I përputhshëm - jo vetëm me veten
- Ndërfaqe përdoruesi elegante dhe e thjeshtë
- Sistem i shpërndarë
- Pa Mesazhe të Padëshiruar - si parazgjedhje, shfaqen vetëm mesazhe nga përdorues të njohur
- I qëndrueshëm - i parrezik për përdorim profesional
- I besueshëm - mund të përdoret madje edhe për mesazhe biznesi
- plotësisht me Burim të Hapur dhe i bazuar në Standarde
Cilat mesazhe shfaqen në Delta Chat?
Delta Chat shfaq automatikisht …
- Mesazhe nga kontakte prej librit tuaj të adresave
- Mesazhe nga kontakte të kontaktuar nga ju
- Përgjigje ndaj mesazheve dërguar nga ju
Mesazhet e tjera nuk shfaqen automatikisht. Mesazhet e tjerë mund t’i shihni te menuja kryesore te Kërkesa kontakti dhe, në daçi, të filloni bisedë që prej atje.
Po Mesazhet e Padëshiruara?
- Mesazhet në dosje të zakonshme mesazhesh të padëshiruar shpërfillen dhe adresat në ta nuk konsiderohen si kontakte të njohur.
- Meqë mesazhet prej kontaktesh të panjohur nuk shfaqen vetvetiu, normalisht, s’ka mesazhe të padëshiruar.
- Sido qoftë, nëse duhet vërtet, mund të bllokoni cilindo kontakt.
A mbulon Delta Chat-i figura, video dhe bashkëngjitje të tjera?
- Po. Veç tekstit të thjeshtë, krejt bashkëngjitjet email shfaqen si mesazhe më vete. Mesazhet ikëse do të pranojnë vetvetiu bashkëngjitje sipas nevojës.
A mbulon Delta Chat-i email-e HTML?
- Po. Nëse email-i ardhës nuk ka pjesë nën tekst të thjeshtë, i shndërrojmë email-et HTML në tekst të thjeshtë. Email-et dërgohen përherë si tekst i thjeshtë.
Grupe
Si mund të krijoj një grup?
- Përzgjidhni Shtoni grup që nga “menuja sanduiç” në cepin e sipërm djathtas te skena bazë e bisedave.
- Te skena vijuese, përzgjidhni anëtarët e grupit dhe i vini shenjë kutizës në cepin e sipërm djathtas. Pas kësaj, mund të përcaktoni një emër grupi.
- Sapo të shkruani mesazhin tuaj të parë në grup, krejt anëtarët e mësojnë krijimin e grupit të ri dhe mund të përgjigjen te grupi (për sa kohë që nuk shkruani një mesazh te grupi, grupi është i padukshëm për anëtarët).
Si të shtohen anëtarë te një grup?
- Çdo anëtar i grupit ka të njëjtat të drejta si kushdo tjetër. Për këtë arsye, gjithkush mund të fshijë cilindo anëtar ose të shtojë të rinj.
- Për të shtuar ose fshirë anëtarë, klikoni mbi emrin e grupit te biseda.
Ç’është një grup i verifikuar?
- Një “grup i verifikuar” është një veçori eksperimentale (flasim për Janarin e 2019-s). Duke shtuar njëri-tjetrin përmes skanimesh kodi QR një grup anëtarësh të “verifikuar” mund të bisedojnë me njëri-tjetrin. Kjo do të thotë zbatim i detyrueshëm i fshehtëzimit e2e për grupin, që është i parrezik kundrejt furnizuesit të shërbimit ose sulmesh nga rrjeti. Megjithatë, disa prova me përdorues dhe përshtypje prej tyre sugjerojnë se ndryshimet UX dhe të sendërtimit ia vlejnë. Diskutimet më të freskëta mund të gjenden këtu: https://countermitm.readthedocs.io/en/latest/new.html
Fshiva veten padashje.
- Ngaqë s’jeni më anëtar i grupit, s’mund të shtoni veten sërish. Megjithatë, s’ka problem, thjesht kërkojini një anëtari tjetër të grupit në një fjalosje të zakonshme t’ju shtojë sërish.
S’dua t’i marr më mesazhet e një grupi.
-
Ose fshini veten nga grupi si anëtar i listës, ose fshini krejt bisedën. Nëse doni të ribëheni pjesë e grupit, kërkojini një anëtari tjetër të grupit t’ju shtojë sërish.
-
Ndryshe, mundeni edhe ta “Heshtoni” një grup - duke bërë këtë, do të merrni krejt mesazhet dhe prapë mund të shkruani, por nuk njoftoheni më për çfarëdo mesazhesh të rinj.
Fshehtëzim
A ka Delta Chat-i fshehtëzim skaj-më-skaj?
- Po. DeltaChat sendërton standardin Autocrypt Level 1 dhe është pra në gjendje të fshehtëzojë mesazhe me e2e-n përmes aplikacionesh të tjera të afta të përdorin Autocrypt-in.
Ç’duhet të bëj që të aktivizohet fshehtëzimi skaj-më-skaj?
-
Asgjë.
-
Aplikacionet Delta Chat (dhe të tjerë aplikacione email të aftë për Autocrypt) përdorin automatikisht të njëjtat kyçe të domosdoshëm për fshehtëzim skaj-më-skaj, teksa dërgohen mesazhet e para. Pas kësaj, krejt mesazhet pasues fshehtëzohen automatikisht skaj-më-skaj. Nëse një nga partnerët në bisedë, më pas, përdor një aplikacion email që nuk mbulon Autocrypt-in, mesazhet nuk fshehtëzohen, derisa të ketë sërish një aplikacion të aftë për Autocrypt-in.
-
Nëse doni të çaktivizohet fshehtëzimi skaj-më-skaj, përdorni fushën përkatës te “Rregullime / Rregullime të mëtejshme”.
Nëse s’ka fshehtëzim skaj-më-skaj, a lihet lidhja pa u fshehtëzuar fare?
- Jo. Me shumicën e shërbyesve për email, në këtë rast, përdoret transport encryption (TLS).
Si mund ta kontrolloj fshehtëzimin?
-
Nëse në krah të mesazhit shfaqet një dry i vockël, kjo do të thotë që mesazhi është i fshehtëzuar skaj-më-skaj dhe është dërguar nga dërguesi i dhënë dhe përgjigja juaj edhe ajo do të fshehtëzohet.
-
Nëse s’ka dry, mesazhi zakonisht transportohet i pafshehtëzuar, p.sh., ngaqë ju ose dërguesi keni çaktivizuar fshehtëzimin skaj-më-skaj, ose dërguesi përdor një aplikacion që nuk mbulon fshehtëzimin skaj-më-skaj.
Si mund ta verifikoj dërguesin?
Profili i përdoruesit shfaq disa të dhëna shtesë:
-
Mund të prekni mbi “Kod Ftese QR” te Android dhe mandej përdorni butonin “skanoni kod QR” te pajisja tjetër që të skanoni këtë kod. Nëse që të dyja pajisjet janë në linjë, do të vendosin një kanal bisede me njëra-tjetrën (nëse ky s’ekziston tashmë) dhe do të verifikohen edhe kyçet e fshehtëzimit.
-
Për fshehtëzim skaj-më-skaj, Delta Chat shfaq dy shenja gishtash. Nëse ata janë të njëjtë me ata te pajisja e partnerit tuaj në bisedë, lidhja është e sigurt.
-
Për fshehtëzim të transportit, gjendja thjesht tregohet atje
Cilët standarde përdoren për fshehtëzim skaj-më-skaj?
- OpenPGP. Transporti i kyçeve bëhet mes Autocrypt.
A mund të ripërdor kyçin tim ekzistues privat?
-
Po. Rruga më e mirë është të dërgohet një Mesazh Rregullimi Autocrypt-i që nga klienti tjetër email. Shihni për diçka si Start Autocrypt Setup Transfer te rregullimet e klientit tjetër dhe ndiqni udhëzimet e dhëna atje.
-
Ndryshe, mund ta importoni kyçin dorazi që nga “Rregullime të mëtejshme / Administroni kyçe private”. Kujdes: Sigurohuni që kyçi nuk mbrohet me fjalëkalim, në të kundërt hiqjani.
Nëse s’keni kyç ose as që e dinit se mund t’ju duhej një i tillë… mos u bëni merak: Delta Chat-i prodhon një të tillë, kur duhet, dhe s’keni gjë për të bërë.
Multi-klient
A mund ta përdor Delta Chat-in në shumë pajisje njëherësh në të njëjtën kohë?
Nëse doni të përdorni të njëjtën llogari në pajisje të ndryshme (të afta për Autocrypt), lypset të njëkohësoni aftësitë e tyre për fshehtëzim:
-
Në pajisjen e parë, zgjidhni “Rregullime të mëtejshme / Dërgo mesazh Rregullimi Autocrypt-i” dhe klikoni derisa të shfaqet një “numër sigurie”.
-
Në pajisjen tjetër, pritni të mbërrijë “Mesazh Rregullimi Autocrypt-i” dhe klikoni mbi të, që do të duhej t’ju kërkonte numrin e sigurisë.
-
tani jeni i njëkohësuar me sukses dhe mund të përdorni që të dyja pajisjet për marrje dhe dërgim mesazhesh, të fshehtëzuar nën e2e, me partnerët tuaj në komunikim.
Të ndryshme
A funksionon Delta Chat me shërbimin tim email?
- Shumë gjasa janë që: Po :)
Sidoqoftë, disa shërbime lypin mundësi speciale për të punuar si duhet; përdoruesit kanë grumbulluar disa prej tyre te forumi në Përmbledhje Shërbimesh
Më interesojnë hollësitë teknike. Mund të më tregoni diçka më tepër?
- Shihni faqen Standarde të përdorur në Delta Chat.